Specialja

Gjykata e Prokuroria e Hagës bëhen bashkë: Veç në vitin 2023 dhjetëra takime me diplomatë e politikanë

Prokuroria e Specializuar e Gjykata Speciale në Hagë, vazhdimisht kanë theksuar se janë dy institucione të ndara, me punë të ndryshme e të cilat nuk ndërlidhen mes vete.

Megjithatë, përveç objekteve të punës të cilat janë kapur me njëra tjetrën në qendër të Hagës, e përbashkëta tjetër e Prokurorisë dhe Gjykatës po del të jetë edhe me takime që i realizojnë me diplomatë, politikanë e zyrtarë të lartë të shteteve e institucioneve të ndryshme.

Vetëm brenda vitit 2023, sipas raporti publik të punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka pasur me dhjetëra takime të tilla, raporton Nacionale. Madje, në shumë prej takimeve kryetarja e Gjykatës Speciale, ishte me përfaqësues të lartë të Prokurorisë së Specializuar.

Njëra prej shumë takimeve, ishte raportimi i rregullt që i bëhet diplomatëve të vendeve të BE-së, e ku Trendafilova ishte bashkë me Kimberi West.

“Në dhjetor 2023, në Hagë, Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest, së bashku me Kryetaren e DHSK-së Ekaterina Trendafilova dhe Administratoren Fidelma Donlon, iu drejtuan diplomatëve nga shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet e treta kontribuuese”, thuhet në raportin e Dhomave të Specializuara për vitin 2023.

Të gjithë së bashku, u takuan edhe me ambasadorët e Komitetit Politik dhe të Sigurisë së BE-së.

“Në shtator 2023, Zëvendësprokurori i Specializuar Vard Ferdinandse, së bashku me Kryetaren Trendafilova dhe Administratoren Donlon, folën para Palës së Punës për Ballkanin Perëndimor (COWEB) të BE-së. Në janar 2023, Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Aleks Uajting, së bashku me Kryetaren Trendafilova dhe Administratoren Donlon, informuan ambasadorët e Komitetit Politik dhe të Sigurisë (KPS) të Bashkimit Evropian”, thuhet në raportin e punës.

Në Hagë, drejtuesit e Prokurorisë dhe Gjykatës pritën një delegacion nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së.

“Më 21 shtator 2023, Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Zëvendësprokurorit të Specializuar mirëpritën në Gjykatë një delegacion nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së dhe Grupit Bazë për tribunalin e krimeve të agresionit kundër Ukrainës dhe paraqitën një përmbledhje të mandatit dhe punës së DHSK-së dhe ZPS-së”, thuhet në raportin e punës.

Sërish pati takim me Komitetin Politik të BE-së. Kësaj radhe në Hagë.

“Më 30 janar 2023, Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar mirëpritën në mjediset e DHSK-së Komitetin Politik dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian (BE), ku paraqitën një përmbledhje të veprimtarive gjyqësore të DHSK-së dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), diskutuan arritjet e rëndësishme të deritanishme dhe prekën disa nga sfidat që i dalin gjykatës”, thuhet më tutje.

Takimet ndarasi

Megjithatë, këto nuk ishin takimet e vetme me diplomatë, e politikanë të rëndësishëm të BE-së e shteteve të tjera. Drejtuesit e këtyre institucioneve, zhvilluam edhe takime të ndara.

“Gjatë vitit 2023, Kryetarja Trendafilova vazhdoi të informonte publikun dhe palët e interesuara për aktivitetet e DHSK-së. Për këtë qëllim, Kryetarja u takua me përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE), të shteteve anëtare të BE-së, të shteteve të treta kontribuuese, të shtetit pritës dhe të Kosovës”.

“Më 18 janar 2023, Kryetarja Trendafilova u takua me Kryetaren e Komitetit Politik dhe të Sigurisë (KPS) të Bashkimit Evropian, znj. Delfinë Pronk, për të diskutuar çështje që lidhen me DHSK-në, duke përfshirë edhe finalizimin e marrëveshjeve dypalëshe për caktimin e shtetit të kryerjes së dënimit”.

“Më 17 maj 2023, Kryetarja vizitoi Brukselin, ku pati takime me drejtoreshën ekzekutive për Evropën dhe Azinë Qendrore të Shërbimit të Jashtëm të BE-së znj. Angelina Ajhorst (Angelina Eichhorst), komandantin e Operacioneve Civile, z. Stefano Tomat dhe anëtarë të Komitetit për Aspekte Civile të Menaxhimit të Krizave për të diskutuar çështje me rëndësi për DHSK-në”

“Më 14 shtator 2023, Kryetarja vizitoi Brukselin ku u takua përsëri me Kryetaren e KPS-së, znj. Pronk dhe komandantin e Operacioneve Civile, z. Stefano Tomat. Kryetarja diskutoi proceset gjyqësore në vazhdim dhe disa nga sfidat me të cilat përballet Gjykata”

Takime të tjera të tilla, u zhvilluan në objektin e Gjykatës Speciale të Hagës.

“Më 20 janar 2023, Shkëlqesia e Saj Kristina Kokinakis, zëvendësdrejtoreshë administrative për marrëdhënie globale dhe drejtoreshë për Vlera dhe Marrëdhënie Shumëpalëshe e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, vizitoi gjykatën dhe u takua me Kryetaren, Administratoren dhe me Ushtruesin e Detyrës së Prokurorit të Specializuar”

“Nga 15 deri më 16 mars 2023, Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar mirëpritën në mjediset e DHSK-së një delegacion nga Shërbimi i Komisionit Evropian për Instrumentet e Politikës së Jashtme dhe Zyrës për Planifikim dhe Drejtim Civil”

“Nga 3 deri më 6 prill 2023, Rrjeti i Informimit i Gjykatës së DHSK-së (RRIGJ) vizitoi DHSK-në në Hagë. Gjatë këtyre ditëve ata ndoqën deklaratat hyrëse në procesin gjyqësor Thaçi dhe të tjerët dhe morën pjesë në një seminar njëditor. Me anëtarët e RRIGJ-së u takuan edhe Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar që dhanë një vështrim të shkurtër të përgjithshëm të punës në vazhdim në Gjykatë dhe dëgjuan mendimet e anëtarëve të RRIGJ-së për aktivitetet e DHSK-së për komunikim dhe ndërgjegjësim”

“Gjatë javës së 17 korrikut 2023, Kryetarja dhe Administratorja patën disa takime dypalëshe me shtete dhe përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork për të dhënë informacion mbi mandatin e DHSK-së, mbi arritje të ndryshme dhe mbi sfidat me të cilat përballet Gjykata. Ato vizituan përsëri Nju Jorkun gjatë javës së 27 tetorit 2023 në një takim të organizuar nga BE-ja, ku informuan delegacionet e BE-së dhe shteteve të tjera anëtare për gjykatën dhe arritjet e saj”

“Më 8 dhjetor 2023, në seancën vjetore të informimit drejtuesit e lartë përditësuan shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet e treta kontribuuese me bazë në Hagë për punën e DHSK-së dhe ZPS-së”, thuhet më tutje në raport.

Nuk dihet saktë se çfarë është diskutuar në këto takim të tipit diplomatik, megjithatë ky fakt është kritikuar shpesh në Kosovë.