Gjykata e ka shpallur fajtor për zjarrëvënie axhën e Glauk Konjufcës, ishte dënuar me gjobë

Rabit Konjufca, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes dhe axha i kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, ishte shpallur fajtor në shtator të vitit 2019 për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Rabit Konjufca, më 3 mars të vitit 2019 nga pakujdesia kishte ndezur zjarrin në pronën e tij, i cili zjarr nga era që kishte fryrë, ishte përhapur duke kaluar edhe në pronën e ngjitur të depos N.T.P “E…”, depo me tenikë të bardhë, ku janë djegur 170 makina të ndryshme.

Dëmi i shkaktuar llogaritet të jetë 12-15 mijë euro.

“Me datë 10.03.2019, rreth orës 16:30, në fshatin Llugagji, Komuna e Lipjanit, i pandehuri R. K., nga pakujdesia ka ndezur zjarrin në pronën e tij, i cili zjarr nga era që kishte fryrë, është përhapur duke kaluar edhe në pronën e ngjitur të depos N.T.P “E…”, ku janë djegur 170 makina të ndryshme, në vlerë prej 12.000-€, (dymbëdhjetë mijë) ose 15.000 -€, (pesëmbëdhjetë mijë), me ç’rast të dëmtuarit A. K. pronar i kompanisë, i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata kishte vendosur që Konjufca i Vjetër të dënohej me gjobë, në shumën prej 300 euro.

Gjithashtu, i njëjti ishte obliguar që në emer të paushallit gjyqësor ta paguaj shumën “prej 20- €, si dhe për kompensimin e viktimave të krimit ti paguaj shumën prej 30-€, në afat prej 15 dite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi”, thuhet tutje në aktgjykim, transmeton express.

Përveç si axha i kryeparlamentarit dhe numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, Rabit Konjufca u bë i njohur për publikun, kur ai u emërua këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Për dëmin që kishte shkaktuar Konjufca dy vite më parë, është raportuar dje, gjithashtu është provuar nga media ndonjë një koment edhe nga Rabit Konjufca, por i njëjti ka kërkuar që të gazeta të mos “merret me këto gjëra”.