Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Burime të KALLXO.com kanë marrë vesh se Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitaj ta kthejë në rigjykim.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Gjykata Themelore në Pejë në mars të këtij viti e ka shpallur të pafajshëm Naser Pajazitajn nën akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 2 vjet e 4 muaj.

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.