Gjykata dënon Don Xhonin me dy mijë euro për armëmbajtje pa leje

Pas pranimit të fajësisë, reperi Xhonatan Isufi, i njohur me nofkën artistike Don Xhoni, është dënuar me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të premten, raporton BetimiPërDrejtësi.

Sipas aktgjykimit, Don Xhoni është obliguar të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Paraprakisht, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari, i akuzuari Isufi është deklaruar fajtor.

“Ndjehem shumë i penduar dhe shpresoj të mos ndodh më kurrë”, ka thënë Isufi.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në gusht të 2022-s ka ngritur aktakuzë kundër Xhonatan Isufit, të cilin e ngarkonte me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri më 27 qershor 2022, i pandehuri Isufi në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën e zjarrit pistoletën e tipit “Cervena zastava” me një karikator dhe gjashtë fishekë të kalibirit 7.65 mm.