“Sindroma e Havanës”, një sëmundje misterioze që ka prekur prej vitesh oficerët e inteligjencës amerikane, duke përfshirë edhe atë që ishte vendosur në Beograd në vitin 2021, ka ardhur sërish në qendër të vëmendjes botërore. Hulumtimi i “Insider Media Group”, një qendër që operon nga Riga, tregoi se “Sindroma e Havanës” mund të jetë e lidhur me njësinë sekrete të inteligjencës ruse “29155”.

Kremlini i ka mohuar këto pretendime dhe ja çfarë dimë deri tani për “Sindromën e Havanës”, transmeton Ballkani.info.

Megjithëse një hetim i inteligjencës amerikane i vitit 2016 e gjeti “shumë të pamundur” që sindroma e Havanës të shkaktohej nga armiq të jashtëm, një hetim nga një grup mediatik me bazë në Riga pretendoi se ekzistonte një njësi “29155” e shërbimit rus të inteligjencës GRU, anëtarët e së cilës u shpërblyen duke zhvilluar “armë akustike jo vdekjeprurëse”.

Në vitin 2021, Kongresi Amerikan miratoi një ligj që lejon Departamentin e Shtetit, Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) dhe agjenci të tjera amerikane të paguajnë ndihma për punonjësit e prekur nga kjo sindromë.

“Sindroma e Havanës”, simptomat e të cilit përfshijnë marramendje, të përziera, dhimbje koke dhe probleme me dëgjimin, u vërejt për herë të parë te diplomatët amerikanë në Kubë në vitin 2016 dhe 2017.

Një vit më parë u publikua një raport i komunitetit të inteligjencës amerikane, në të cilin konkludohej se “Sindroma e Havanës” tek zyrtarët amerikanë në udhëtimet zyrtare jashtë vendit nuk lidhet me veprimet e “kundërshtarëve të huaj”. Rusia ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në ato incidente.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov mohoi një raport që pretendonte se shërbimi inteligjent rus qëndron pas “Sindromës Havana” që po bën që diplomatët dhe spiunët amerikanë të sëmuren në mbarë botën.

Peskov shtoi se asnjë provë nuk është ofruar kurrë për të mbështetur këtë pretendim dhe se ai është i pabazuar, raporton Reuters.

Evakuimi i agjentëve të CIA-s nga Beogradi

Deri më tani, deri në 200 operativë dhe diplomatë amerikanë në mbarë botën janë vënë në shënjestër të “Sindromës së Havanës” misterioze, e cila shkaktoi evakuimin e një anëtari të CIA-s, i cili ishte vendosur në Beograd në vitin 2021. Nuk dihen shumë detaje për rastin e parë të regjistruar në Ballkan, por vetë sindroma është e mbuluar me fshehtësi. Megjithatë, nuk mungojnë teoritë – nga ato që bëhet fjalë për armë të sofistikuara, tek ato që Rusia qëndron pas gjithçkaje, tek ato që mohojnë ekzistencën e kësaj sindrome.

Rasti i parë në Ballkan është shënuar në Beograd. Siç raportonte “Wall Street Journal” në vitin 2021, një anëtar i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) i cili ishte vendosur në kryeqytetin e Serbisë u evakuua për shkak të “Sindromës Havana”. Gazeta amerikane raportoi se anëtari i CIA-s, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka pësuar lëndime të rënda fizike të shkaktuara nga një atak neurologjik.

Nuk dihet se kur ka ndodhur ky incident dhe as nuk dihet se në çfarë gjendje është tani anëtari i lartpërmendur i CIA-s. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi vetëm se “po heton intensivisht pretendimet për incidente të mundshme jonormale shëndetësore kudo që ato raportohen”.

“Këto incidente janë prioriteti kryesor i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken”, tha zëvendës zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jalina Porter.

Çfarë është “Sindroma e Havanës”

Bota mësoi për “Sindromën e Havanës” në vitin 2016. Në atë kohë u raportua se rreth 50 diplomatë amerikanë dhe kanadezë që qëndronin në Havanë të Kubës, vuanin nga migrena të rënda, të përziera, çrregullime njohëse, marramendje, madje disa po humbnin dëgjimin.

Që atëherë, lajmet për raste të ngjashme janë shfaqur periodikisht në mbarë botën, dhe sulmi më masiv pas Havanës u regjistrua në Vjenë në mesin e korrikut 2021, kur më shumë se njëzet zyrtarë amerikanë dhe fëmijët e tyre raportuan simptoma të “Sindromës Havana”. Ata u transportuan shpejt në Amerikë, për të marrë trajtimin adekuat dhe kreu i degës së CIA-s në Vjenë u shkarkua për shkak të një reagimi joadekuat ndaj raportimeve për këto incidente.

Një raport i publikuar i qeverisë amerikane thotë se “Sindroma e Havanës” është ndoshta e drejtuar nga radio frekuenca. Në dhjetor 2021, Akademia Kombëtare e Shkencave e SHBA-së publikoi një raport ku thuhej se dëmtimi i trurit i pësuar nga zyrtarët amerikanë në Kubë ishte me shumë gjasa rezultat i një forme energjie të drejtuar, domethënë një sulm energjetik. /Ballkani.info/