Gjuriq tregon se Serbia planifikon t’i fus duart në Trepçë gjatë 2019-ës

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’ në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka paralajmëruar se në vitin 2019, Serbia do të fus duart në ‘Trepçë’ për të ndërtuar dy fabrika të reja.

Këto deklarata Gjuriq i ka bërë në një intervistë për Tv Pink, ku ka folur për planet e Qeverisë së Ana Brnabiqit dhe Aleksander Vuçiqit për të investuar në veri të Republikës së Kosovës.

“Plani i presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë është të ndihmojë zhvillimin e çdo serbi në Republikën e Kosovës, dhe ky plan do të implementohet në vitin 2019, pavarësisht të gjithë vështirësive.

Mitrovica do të bëhet me një Qendër Klinkike Moderne, Graçanica me një spital të ri, Trepça me një fabrikë të re dhe një fabrikë akumulatorësh.

Pavarësisht të gjithë presioneve ne dëshirojmë që të krijojmë kushte bazike qe njerëzit tonë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Marko Gjuriq, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera Gjuriq ka folur edhe për vizitën që presidenti rus Vladimir Putin pritet të realizojë gjatë këtij muaji në Serbi.

“Nëse e kemi mbështetjen e Rusisë, edhe për çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës, do të jetë edhe më mirë “, ka shtuar ndër të tjera politikani serb.

Sa i përket vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Gjuriq thotë se Serbia po bënë gjithçka që është e mundur për zbardhjen e rastit.