Gjuriq thotë se Kurti nuk do bisedime, por kapitullim poshtërues të Serbisë

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, sipas drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit, nuk dëshiron kurrfarë marrëveshjeje me Serbinë por vetëm do “kapitullimin poshtërues” të saj, transmeton Koha.net deklaratën e tij dhënë Tanjugut.

Ai citohet të ketë shtuar se “kjo nuk do të ndodhë kurrë”.

Siç thekson ky burim, deklarata e Gjuriqit vjen pas mesazhit të djeshëm të Albin Kurtit për presidentin e Serbisë, Vuçiq, se nuk mund të ketë marrëveshje nëse qasja e Serbisë është se “ne duhet të fitojmë diçka”. “Kjo nuk mund të jetë pikë startuese për zgjidhjen e problemeve”, ka thënë Kurti.

“Albin Kurti me fjalët e tij ka treguar se ai nuk dëshiron kurrfarë marrëveshjeje me Serbinë, as që dëshiron bisedime të mirëfillta, por vetëm dëshiron kapitullim poshtërues për Serbinë”, i ka thënë Gjuriq Tanjugut.