Gjuriq thotë se Abelard Tahiri “po e fsheh autorin e vrasjes së Ivanoviqit”

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka rikthyer edhe një herë vëmendjen në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Në një konferencë për media të mërkurën ai ka thënë se Serbia e di emrin e vrasësit, ndërkohë thoshte se Kosova nuk ka kurrfarë informacioni.

Duke parë këto deklarata ka reaguar ministri i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, i cili i ka quajtur ato si deklarata politike të Vuçiqit, duke thënë se ai si president i Serbisë nuk ka kurrfarë kompetencash lidhur me rastin në fjalë.

Ministri Tahiri gjithashtu ka thënë se Vuçiq i ka marrë në mbrojtje personat të cilët po i kërkon drejtësia kosovare si të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit.

Deklaratave të Tahirit iu është përgjigjur vartësi i Vuçiqit, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, po i mbron ‘kriminelët e luftës’ dhe po i ‘fsheh vrasësit’ e Oliver Ivanoviqit

Gjuriq ka thënë se ministri Tahiri nuk ka demantuar faktin se autoritetet në Prishtinë nuk janë duke bashkëpunuar me hetuesit serbë.

“Ai në panik për të nxjerrë vetën të pastër, ka sulmuar presidentin e Serbisë vetëm pse ka thënë të vërtetën, ndërkohë nuk ka demantuar faktin se autoritetet e drejtësisë në Prishtinë nuk bashkëpunojnë me hetuesinë serbe”, ka thënë Gjuriq.

loading…