Gjuriq pas takimit në Bruksel: Me Serbinë nuk flitet me gjuhë ultimatumesh

Drejtori i Zyres për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar të enjten në Bruksel se me Serbinë nuk mund të flitet me gjuhë shantazhesh dhe ultimatumesh.

Ai iu ka thënë gzetarëve, pas raundit të negociatave të enjten, se Kosova “kishte tentuar që delegacionit serb t’ia dorëzojë ‘njëfarë letre’ për shkelje të pretenduar të marrëveshjes së CEFTA-s”.

“Nuk deshëm ta pranojmë, pasi që erdhëm për të biseduar dhe jo të grindemi rreth diçkaje që është e kaluar. Gjithsesi do të kishim më shumë material për dëmet e shkaktuara”, ka thënë ai.

Takimi së enjtes mes Hysenit dhe Gjuriqit është i dyti i tillë në një javë, që ndërmjetësohet nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.