I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i është përgjigjur zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili dje i dërgoi letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjuriq ka ironizuar me Pacollin duke thënë se “Serbia është shtet edhe i shqiptarëve të Kosovës, kështu që e përshendetë faktin se lideri i AKR-së përfundimisht po drejtohet në adresë të drejt”.

Në përgjigjen e publikuar ne Facebook, “Gjuriq në 15 pika paralajmëron në seriozitetin e momentit dhe pasojat, siç thotë ai, që mund të ketë loja malicioze e Pacollit me jetën dhe fatin e qindra mijëra njerëzve”, transmeton Ballkani.info.

“Në vend që të shkruani përmbajtje për gazeta muri, tentoni që të paktën për një moment të jeni në nivelin e rolit historik të cilin është e dukshme se e gëzoni krejtësisht pa meritë. Nga letra juaj e pakuptimtë nuk do të bëhet mirë as për shqiptarët e as për serbët në Kosovë”, ka thënë ai.

Gjuriq e ka quajtur letër bizare atë që ka shkruar Pacolli për Vuçiqin.

Ai e ka ftuar Pacollin që ta kujtoj Gjergja Kastriotin-Skenderbeun dhe Esat Pashë Toptanin dhe të tjerët, siç thotë, të cilët me serbët dhe Serbinë kanë pasur marrëdhenje të respektit dhe mirëkuptimit.

“As në letrën tuaj nuk ka kurrëfar vullneti të mirë. Për shkak të presioneve tuaja, kërcënimeve dhe gënjeshtrave të përditshme të të kolegëve tuaj, serbët në Kosovë nuk kanë vullnet të mirë. Kështu edhe po ju përgjigjen, sinqerisht, ashtu siç e meritoni”, ka thënë ai. /Ballkani.info/