Gjuajtje me armë në Prishtinë: Vdes një person dhe lëndohen dy të tjerë

Një person ka vdekur pasi lëndimeve që ka marrë nga arma e zjarrit në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Rastin për Demokracia.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 13:20  policia ka marrë informatën për të shtëna  me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel.  Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, tha ajo.

Sipas Ahmetit, bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.

“Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar(dyshohet me mjet të mprehtë) janë  dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit  janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, përfundoi Ahmeti.