Kryeministri Albin Kurti sot është shprehur kundër një tërheqje tjetër nga Trusti, duke thënë se kështu kanë vlerësuar edhe dy ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtarë.

Kjo deklaratë e Kurtit ka nxitur reagime edhe tek partitë opozitare.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka deklaruar se kryeministrin Kurti “e ka kapur inati”, pasi që sipas tij, PDK-ja ka dhënë ide më të mirë se sa e gjithë Qeveria.

“E ka kap inati pasi që PDK-ja e ka dhënë një ide shumë më të mirë sesa krejt Qeveria e tij. Inati iu ka rritë kur e ka marrë vesh se deputetët e partisë së tij do ta votojnë këtë ide të PDK-së”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.

Tutje, ai ka kritikuar aftësinë e Kurtit, duke thënë se sipas kryeministrit “vitrat e tij prej 100 eurove i prezanton si shpëtim, kurse idenë e PDK-së si diçka që nuk e zgjidh problemin”.

“O “talent”, prej kur 100 euro janë më shumë se mijëra euro që mund të tërhiqen me vullnet nga trusti?”, ka shkruar në fund Gjoshi.

Postimi i plotë:

Albin Kurtin e ka kap inati.

E ka kap inati pasi që PDK-ja e ka dhënë një ide shumë më të mirë sesa krejt Qeveria e tij. Inati iu ka rritë kur e ka marrë vesh se deputetët e partisë së tij do ta votojnë këtë ide të PDK-së.

Kurti po thotë se tërheqja e një pjese të trustit nuk e zgjidh problemin.

Paramendojeni, sa “të aftë” e kemi Kryeministrin. Vitrat e tij prej 100 eurove i prezanton si shpëtim, kurse idenë e PDK-së si diçka që nuk e zgjidh problemin.

O “talent”, prej kur 100 euro janë më shumë se mijëra euro që mund të tërhiqen me vullnet nga trusti?