Gjoshi i PDK-së: Vjosa Osmanit i lejohet ta shkarkojë Dakën vetëm në diktaturë, t’i mbajë duart larg institucioneve

Shefi i shtabit zgjedhor të PDK’së, Betim Gjoshi, e ka cilësuar si tentim për anarki mundësinë e shkarkimit të kryetares së KQZ’së, Valdete Daka, nga ana e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Gjoshi, njëherësh edhe ish-përfaqësues i PDK’së në KQZ për 10 vite, ka deklaruar se tendenca të këtilla e sulmojnë rëndë rendin kushtetues të vendit. Ai këto komente i ka bërë në emisionin ‘Kosova Voton’ në T7.

“Ekzistojnë një grup njerëzish që kërkojnë me çdo kusht anarki ndaj rendit dhe ligjit, me qëllimin e vetëm për të fituar një grusht vota më shumë. Unë sot e kam ndi vetën jashtëzakonisht keq. Dje dhe sot është sulmuar rëndë rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Njeri i vetëm që po e mbron demokracinë në këtë vend është kryesuesja e KQZ’së, Valdete Daka”, ka deklaruar Gjoshi.

Ai është pyetur edhe nëse ka të drejtë që Osmani ta shkarkojë Dakën, i cili ka thënë se një gjë e tillë lejohet vetëm në vende diktatoriale.

“Në vende diktatoriale ka të drejtë për shkarkim, por në Kosovë jo. Ajo (Vjosa Osmani) duhet t’i mbajë duart larg institucioneve të pavarura”, ka vlerësuar Gjoshi.

U.d. e presidentit ka tërhequr vërejtjen për ndërmarrje masash të shtunën pasdite, me anë të një video-mesazhi në ‘Facebook’, pas mos-certifkimit të listës së kandidatëve të VV’së.