Gjithçka që dihet deri më tani rreth përplasjes së dronit amerikan dhe aeroplanit rus mbi Detin e Zi

Ushtria amerikane u detyrua të rrëzonte një nga dronët e saj të martën pasi u përplas me një aeroplan luftarak rus mbi Detin e Zi.

MQ-9 Reaper u rrëzua në ujërat ndërkombëtare pasi helika e saj u godit nga një prej dy aeroplanëve rusë, Su-27 që kryen një “përgjim të pasigurt dhe joprofesionial”, deklaroi Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM).

“Disa herë para përplasjes, Su-27 hodhi karburant dhe fluturoi përpara MQ-9 në një mënyrë të pamatur, të pasigurt për mjedisin dhe joprofesionale”, shtoi EUCOM, raporton nypost.

Ndërsa Reaper mund të armatoset, zëdhënësi i Pentagonit, Brigader Gjenerali, Pat Ryder tha se droni po kryente një mision standard të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit mbi Detin e Zi.

“Këta dronë kishin fluturuar mbi rajonin e Detit të Zi për disa kohë para se të fillonte konflikti aktual [Ukrainë]”, tha ai. “Është një rrugë ujore ndërkombëtare e rëndësishme dhe shumë e ngarkuar”.

Komandant i operacioneve ajrore të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë, James B. Hecker pohoi se veprimet e aeroplanit rus “gati shkaktuan rrëzimin e të dy aeroplanëve”. Ryder tha se Su-27 ka të ngjarë të jetë dëmtuar gjatë përplasjes, por arriti të ulet i sigurt menjëherë pas kësaj.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se SHBA kishte thirrur ambasadorin rus në Uashington, Anatoly Antonov, për të paraqitur një protestë proteste për incidentin – megjithëse Ryder tha se zyrtarët ushtarakë amerikanë nuk kishin folur me homologët e tyre rusë për këtë takim, transmeton Telegrafi.

Përplasja që ndodhi rreth orës 7:00, sipas orës lokale amerikane, “ngjau pas veprimeve të rrezikshme rë pilotëve rusë ndërsa ndërveprojnë me aeroplanët e SHBA-së dhe aleatëve mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare, duke përfshirë mbi Detin e Zi”, sipas EUCOM.

Ryder tha se pilotët rusë e ngacmuan dronin për 30 deri në 40 minuta para se të rrëzohej.

Presidenti amerikan, Joe Biden u informua për incidentin nga këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, tha të martën një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se kjo nuk ishte hera e parë që aeroplanët amerikanë përgjoheshin nga rusët, por është “hera e parë që një përgjim rezultoi në rrëzimin e një prej dronëve tanë”.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se incidenti ka ndodhur në “hapësirën ajrore të sajën”, megjithëse ajo pjesë është e Ukrainës.

“Si rezultat i manovrimit të shpejtë … droni MQ-9 humbi drejtimin dhe u përplas me sipërfaqen e ujit”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes ruse, e cila pretendoi se aeroplanët e tyre as nuk u përplasën me dronin dhe as nuk e qëlluan atë.

Rusia nuk dëshiron asnjë konfrontim me amerikanët, ka thënë ambasadori i saj në SHBA. Duke folur pas një takimi në departamentin e shtetit, Anatoli Antonov tha se kishte një “bisedë konstruktive” me Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Evropën, Karen Donfried.

Ndërkohë, Kirby u zotua se incidenti nuk do ta pengonte ushtrinë amerikane të vazhdojë punën e saj në rajon.

“Nëse mesazhi është se ata duan të na pengojnë që të operojmë në hapësirën ajrore ndërkombëtare, mbi Detin e Zi, atëherë ai mesazh do të dështojë”, tha ai, duke shtuar më vonë se “ne do të vazhdojmë të fluturojmë dhe operojnë në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi ujërat ndërkombëtare. Deti i Zi nuk i përket asnjë kombi”.

Ndryshe, incidenti i së martës ndodhi disa javë pasi ushtria amerikane përgjoi tetë aeroplanë luftarakë të Kremlinit pranë Alaskës.