Gjini paraqet skenarët e mundshëm nëse Kosova shkon në zgjedhje

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini foli rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Duke diskutuar këtë çështje, Gjini tha se Qeveria Kurti duhet ta shfrytëzojë 50 për qindshin e votave, pasi që sipas tij, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje këto rrethana nuk do të përsëriteshin.

Ai tha se për të arritur këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë çdo potencial që ka madje të provojë të ketë edhe opozitën në mbështetje.

“Qeveria duhet t’i shfrytëzojë të gjitha potencialet që i ka, të provojë ta ketë edhe opozitën në mbështetje, çkado që ka, çdo potencial që ka duhet ta shfrytëzojë që të arrijë një marrëveshje. E kemi një Qeveri që i ka mbi 50 për qind të votave dhe duhet ta shfrytëzojë këtë rrethanë… nëse do të shkonim në zgjedhe mund të themi se këto rrethana nuk përsëriten, gjasat janë reale që nuk përsëriten”, tha Gjini.

Tutje kryetari i Komunës së Gjakovës, tha se marrëveshje duhet të arrihet dhe Kosovës t’i hiqet kjo formë e barrës.

Sipas Gjinit nëse Kosova shkon në zgjedhje mund të vijë një Qeveri më e zonja se Qeveria Kurti, mirëpo thotë se nuk ka kohë të humbë nëse vendi shkon në zgjedhje.

“Mund të ndodhë që të vijë një Qeveri e cila është më e zonja se Kurti. Madje unë besoj se do të jetë më e zonja se Qeveria Kurti, por humbim shumë kohë nëse shkojmë në zgjedhje, por edhe në rrethanat e brendshme mund të ndërrohen e nuk e dimë se çfarë ndodh”, shtoi Gjini në Tëvë1.