Gjinekologu tregon si të kujdesen shtatzënat nga Covid-19

Gjinekologu Afrim Muhaxhiri ka folur për Covid-19 dhe shtatzënat. Thotë se koronavirusi është i rrezikshëm dhe kujdesi është parandalimi më i sigurt.

“Është një sëmundje e keqe, sëmundje e vështirë e cila është e shoqëruar me shumë pasoja. Jemi dëshmitarë të pasojave të Covid-19”, thotë Muhaxhiri.

Ai thotë se përveç tjerash, koronavirusi shkakton shqetësim të madh te nënat në pritje.

“Neve na ka ndodhur në kohë të fundit që na kanë ftuar shtatzënat te të cilat është diagnostikuar që janë me Covid-19 dhe janë shumë të shqetësuara. Mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është ruajtja, mbajtja e maskave, distancomi fizik dhe mbajtja e higjenës personale”, tha gjinekologu për RTV Dukagjini.

Por a ka pasoja te nëna dhe fryti infektimi me Covid-19?

“Sipas informatave që kam në vendin tonë janë rreth 40 paciente që kanë lindur derisa kanë qenë me Covid-19. Ka pasur raste që kanë përfunduar edhe me fatalitet. Është sëmundje e panjohur. Ka pasur raste që edhe pas shërimit ka lënë probleme të tjera dhe zgjidhja e vetme për momentin është kujdesi”, shtoi doktori.

“Ende nuk ka të dhëna të vlefshme për pasojat e mundshme të cilat mund të ndodhin për pacientët të cilët e kanë kaluar Covid-19 dhe në të ardhmen do të bëhen prindër ose te fëmijët e tyre të ardhshëm që do të lindin a ka ndonjë pasojë prej prindit te fëmija”, tha ai.

Ai shton se ndihma e psikologut është e domosdoshme.