Gjilani reagon ashpër ndaj fyerjeve racore të Cales nga lojtari i Drenicës, njofton edhe UEFA-n

Klubi i futbollit Gjilani ka lëshuar një komunikatë të hënën mbrëma. Gjilani thotë se futbollisti brazilian i tij, Elton Cale, është ofenduar në baza racore nga kapiteni i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku.

Drenica e Gjilani janë takuar javën e kaluar në kuadër të javës së tretë të Superligës së Kosovës në futboll.

“Klubi ka reaguar menjëherë duke lajmëruar zyrtarin e ndeshjes, Agim Hasani, gjyqtarin e katërt, Isak Ceroviku dhe gjyqtarin kryesor Alban Shala. Edhe pas përfundimit të ndeshjes janë lajmëruar organet gjegjëse të FFK-së. Të njoftuar tashmë janë edhe shoqata për mbrojtjen e të drejtave të futbollistëve si dhe Komisioni i Etikës pranë UEFA-s. Konsiderojmë që këto fyerje dhe sjellje në drejtim të futbollistit Cale nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar, e në rastin më të vogël pa reaguar”, ka shkruar Gjilani në njoftim.

Gjilani ka publikuar edhe një video të rastit në fjalë.

“Në këto momente jo të lehta për futbollistin Cale dhe familjen e tij, ne qëndrojmë afër tyre dhe i ofrojmë mbështetje të plotë në luftën kundër racizmit, duke i siguruar që do të jemi vazhdimisht ‘këmbanë’ e këtij fenomeni të shëmtuar. Sport Club Gjilani u bën thirrje gjithë futbollistëve dhe komunitetit sportiv në vend të kenë më shumë tolerancë ndërmjet vete dhe lojën e futbollit ta bazojnë në suazat e fair-playt dhe jo në suaza të racizmit”, shkruan Gjilani./Koha