Gjilani me 71 raste aktive: Haziri kërkon nga qytetarët të shtojnë kujdesin

I par i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit të mbajtur sot me Komitetin e emergjencave, u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjilanit për kujdes maksimal kundër virusit COVID-19.

Në Gjilan zyrtarisht deri më tash janë konfirmuar 169 raste pozitive.

Haziri ka thënë se pavarësisht kësaj, gjendja e përgjithshme është nën kontroll dhe se institucionet shëndetësore janë në kujdestari 24 orësh për menaxhimin më të mirë të mundshëm të shëndetit publik dhe përballjen me pandeminë.

“Institucionet shëndetësore dhe emergjencat civile, po punojnë vazhdimisht në parandalimin e përhapjes së sëmundjes Covid-19. Kërkojmë që qytetarët të shtojnë kujdesin dhe të gjithë ata që kanë simptoma të lehta apo që dyshojnë në infektim me sëmundjen Covid-19, duhet të lajmërohen në institucionet shëndetësore për të hyrë në proces të testimit dhe diagnostikimit si masë”, ka thënë Haziri.

Ai ka apeluar te të gjithë qytetarët për kujdes maksimal, mbajtje të distancës sociale, përdorimin e mjeteve mbrojtëse si doreza dhe maska, dezinfektues vazhdimisht dhe kujdes në higjienë.

Deri më tani Gjilani ka 169 persona pozitivë nga 1449 teste që janë bërë. Prej këtyre të dhënave zyrtare, fatkeqësisht janë tre të vdekur, 95 të shëruar dhe 71 raste aktive.