Gjilani kalon problemet me koronavirus, të gjithë lojtarët dalin negativë

Të gjithë futbollistët dhe pjesëtarët e stafit të klubit të Gjilanit që janë testuar të hënën për koronavirus, kanë rezultuar negativë.

Lajmin e ka konfirmuar për “KOHËN” drejtori i klubit Gjilani, Sevdail Robelli. Ai ka theksuar se Gjilani nuk ka më probleme me të infektuar me COVID-19.

“Testet i kemi marrë të hënën në mbrëmje dhe të gjithë kanë dalë negativë. Për fat të mirë tani më nuk kemi probleme me koronavirus dhe ekipi është i kompletuar”, tha Robelli.

Sipas tij, tani ka mbetur që lojtarët dhe drejtuesit të pajisen edhe me viza dhe të mërkurën të nisen drejt San Marinos.

“Të martën, 18 persona, disa lojtarë dhe anëtarë të klubit, pritet t’i marrin vizat në Ambasadën e Italisë në Prishtinë. Kemi premtime nga krerët e FFK-së dhe Ministrisë së Sportit që do të rregullohet e gjitha. Lojtarët nga Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë nevojë që të aplikojnë, kështu që po besoj që edhe kjo do të përfundojë ashtu siç është më së miri. Të mërkurën në mëngjes do të udhëtojmë drejt San Marinos. Do të zbresim në Rimini të Italisë, e më pas do të kalojmë në San Marino”, shtoi Robelli.

Në javën e kaluar te Gjilani kishin rezultuar pozitivë katër futbollistë dhe pesë zyrtarë të klubit, por në ritestimin që ishte bërë më pas, kishte vetëm dy të infektuar, një lojtar dhe një zyrtar i klubit.

Gjilani do të takohet me Tre Penen e San Marinos, në duelin parakualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja do të zhvillohet të enjten nga ora 21:00.

Për skuadrën gjilanase, që e mbylli kampionatin në pozitën e dytë, do të jetë hera e parë që merr pjesë në garat evropiane.