Gjilani dhe ‘Jetimat e Ballkanit’ do t’i ndërtojnë 10 shtëpi për familjet në nevojë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë një takimi me kryetarin e shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati ka dhënë mbështetjen e tij për ndërtimin e 10 shtëpive të reja në Gjilan.

“Aktualisht jemi duke bërë renovimin e 6 shtëpive për raste me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, gjithashtu do të ndërtohen edhe tri shtëpi të reja tashmë të konfirmuara nga Komuna e Gjilanit. Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, sot i kam konfirmuar mbështetjen e Komunës edhe për dhjetë shtëpi të reja gjatë vitit 2019. Njëkohësisht, kemi marrë konfirmimin e menjëhershëm që gjatë muajit të ardhshëm të strehohet një familje me fëmijë jetim dhe një falënderim i veçantë për shoqatën dhe donatorin, që sot do të bëjnë me banesë të re një familje e cila ka kushte tepër të vështira”, tha Haziri.

Kurse, nga ana e tij, Halil Kastrati, në emër të shoqatës ka thënë se bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit bënë të mundur që të kemi më shumë shtëpi të ndërtuara dhe uljen e numrit të madh të familjeve skamnore në këtë komunë.

Sipas komunikatës së kësaj komune, Gjilani në marrëveshjen e bashkëpunimit e cila do të nënshkruhet së shpejti, do të participojë më 50 mijë euro për 10 shtëpi për familjet në nevojë.