Gjigandi mediatik “EuroNews” mbërrin në Shqipëri, ja kur nis transmetimi

Sot është bërë publik lajmi se gjigandi mediatik europian “EuroNews” do të vijë në Shqipëri dhe pritet të nisë transmetimin televiziv në vitin 2019.

Grupi “Euronews” dhe grupi “IN Media” njoftuan sot partneritetin e tyre për të lançuar Euronews Albania, televizionin dhe platformën digjitale mediatike, që synon të arrijë qytetarët e Shqipërisë, si edhe banorët shqipfolës të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, në tetor 2018, grupi “Euronews” do të kontribuojë me ekspertizën e vet, si edhe me qasjen shumëkulturore që do të sjellë te media e re.

Nga ana tjetër, Euronews do të ketë mundësinë të përdorë mbulimin rajonal të Euronews Albania-s në të gjitha platformat e saj.

“Jemi vërtetë të emocionuar që kemi krijuar këtë partneritet me grupin “IN Media”, për këtë ndërmarrje kaq të rëndësishme për Euronews-in. Për herë të parë, ne po krijojmë një franchise, ekskluzivitet të Euronews-it. Kjo është dëshmi e forcës sonë, e cila ka ardhur duke u rritur si rrjedhojë e disa ndryshimeve të rëndësishme që kemi bërë vitet e fundit. Ne vazhdojmë të rritemi si media “globale”, duke qenë ndërkombëtarë në qasje e duke u qëndruar pranë audiencave lokale. Marrëveshje të tilla kontribuojnë drejt synimit tonë të palëkundur strategjik për ta bërë Euronews-in, median numër një globale jo vetëm në Europë, por edhe në botë.”- tha Michael Peters, Drejtori Ekzekutiv i Euronews.

Ndërsa Theodhori Cami, drejtuesi i “IN Media Group” u shpreh: “Pas një rrugëtimi të gjatë negociatash, angazhimi dhe vendosmërie, jemi krenarë të shpallim krijimin e partnertitetit me Euronews-in, kanalin numër një të lajmeve në Europë. Merita për lançimin e Euronews Albania është jo vetëm e grupit “IN Media”, por edhe e të gjithë shqiptarëve që do të bëhen pjesë e një projekti krejtësisht të ri, themelet e të cilit gjenden tek ekspertiza dhe besueshmëria që gëzon ky kanal në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse ne do të ofrojmë një standard unik për median, si askund tjetër në rajon”.

Euronews Albania pritet të nisë transmetimet në vitin 2019, ndaj edhe janë bërë përpjekjet e para për gjetjen e profesionistëve më të mirë që ka vendi.

Ajo çfarë dihet deri më tani për stafin është se roli i Drejtoreshës së Informacionit i është besuar gazetares së njohur shqiptare Ilva Tare, e cila ishte e pranishme edhe në momentin e lançimit të partneritetit në godinën qëndrore të Euronews, që ndodhet në Lyon të Francës.

Media e re do të krijojë vende të reja pune, pasi Euronews Albania do të ketë rreth 100 punonjës në momentin e nisjes së trasmetimeve.

Kujtojmë që “Euronews” është kanali numër një i lajmeve në Europë, që arrin më shumë shikues në Europën kontinentale se të gjithë rivalët e vet.