Gjermania thotë se do të shpallë “paketa të reja mbështetëse” për Ukrainën në samitin e NATO-s

Gjermania do të shpallë paketa të reja mbështetjeje për Ukrainën gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius, Lituani, tha të hënën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Puna paraprake është “praktikisht e përfunduar”, tha Pistorius gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij francez Sebastien Lecornu në Berlin, shkruajnë mediat e huaja.

Pistorius shtoi se ai pret që samiti i NATO-s të jetë “shumë i bashkuar” dhe se “duhet të jetë, në dritën e situatës aktuale”.

Ndërsa diskutimet para samitit kanë forcuar shpresën e tij, Pistorius tha se ai po vëzhgon çështjen e pranimit të Suedisë në NATO dhe “si do të veprojnë Turqia dhe Hungaria”.

E Lecornu vlerësoi se është thelbësore për aleatët që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ndërkohë kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti amerikan Joe Biden kanë rënë dakord për nevojën për të “forcuar” aleancën e tyre dhe për të ruajtur mbështetjen për Ukrainën, tha një zëdhënës i Downing Street në një deklaratë të hënën.

Të dy liderët diskutuan kundërsulmimin e Ukrainës dhe theksuan “rëndësinë e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë të vendit për mbrojtjen e saj afatgjatë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme për Ukrainën për të fituar këtë luftë dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha zëdhënësi në deklaratë.

Sunak dhe Biden ranë dakord gjithashtu për nevojën për të siguruar që Suedia të ketë një “rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në NATO”, tha zëdhënësi.

Deklarata përfundoi duke thënë se të dy liderët pranuan rëndësinë e miqësisë së tyre dhe të vazhdimit të “dialogut të ngushtë që kanë pasur në disa muaj”.