COVID-19

Gjermania shtyn karantinën deri në qershor, pas numrit të madh të rasteve me Covid-19

Shkalla e infeksionit të koronavirusit në Gjermani u rrit në fundjavë megjithë kufizimet e rrepta.Ministri i Financave, Olaf Scholz tha se ai nuk priste lëvizje për të lehtësuar kufizimet përpara fundit të majit.“Ne kemi nevojë për një kalendar si të kthehemi në jetën normale, por duhet të jetë një plan që nuk do të duhet të revokohet pas vetëm disa ditësh,” i tha Scholz “Bild am Sonntag.”

“Qeveria federale duhet të jetë në gjendje të përshkruajë “hapat e qartë dhe të guximshëm të hapjes” për verën deri në fund të majit, duke lejuar restorantet të rregullojnë planet e rihapjes dhe qytetarët të planifikojnë pushimet,” tha ai.Scholz tha se hapat do të sqarojnë gjithashtu se kur do të jenë të mundshme vizitat në koncerte, teatro dhe stadiume futbolli .Kancelarja Angela Merkel të shtunën, më 24 prill u bëri thirrje gjermanëve që t’i përmbahen rregullave më të ashpra të vendosura në zonat me norma të larta infeksioni, duke thënë se masat e vendosura në fundjavë ishin të nevojshme për të parandaluar një valë të tretë të infeksioneve.

Gjermania po lufton të mos lejojë përhapjen e infeksioneve, të komplikuara nga varianti më ngjitës B117 që u shfaq për herë të parë në Britani.Parlamenti miratoi ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Infeksionit javën e kaluar për t’i dhënë qeverisë federale më shumë kompetenca në pandemi. Merkel hartoi ndryshimet pasi disa nga 16 shtetet federale refuzuan të zbatojnë masa më të ashpra.Ligji i ri i mundëson qeverisë të vendosë orën policore mes orës 22:00 dhe 05:00 të mëngjesit në rrethe ku rastet kalojnë 100 për 100,000 banorë në tre ditë rresht. Rregullat përfshijnë gjithashtu kufij më të rreptë për grumbullimet private dhe blerjet.Shkollat ​​do të duhet të mbyllen dhe t’u kthehen mësimeve në internet nëse rastet arrijnë në 165 për 100,000 banorë në tre ditë rresht.