Jorn Rohde

Gjermania mbështet deklaratën e BE-së ndaj Kosovës: Veprimet e njëanshme vetëm i hedhin benzinë zjarrit

Gjermania ka mbështetur deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian sot gjatë ditës, ku thuhet se janë të shqetësuar me operacionet e Policisë së Kosovës ku janë mbyllur institucionet e drejtuara nga Serbia.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde përmes një reagimi në platformën X, shkruan se mbështesin deklaratën e BE-së.

“Masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve”, thotë ai.

Në reagim, Rohde shton tutje se dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë është vendi më i përshtatshëm për të adresuar këto çështje.

Bashkimi Evropian sot përmes një komunikate për media ka reaguar lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.

Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thuhet se BE-ja është shqetësuar me operacionet e Policisë së Kosovës gjatë kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog e Klinë.

Stano ka thënë se BE është e shqetësuar edhe me operacionin që ndodhi në objektin e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.

Ai ka shtuar se BE-ja i kërkon Kosovës që të shmang veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.

VIDEO BONUS: Aksioni kundër strukturave serbe, Sveçla: Janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog