Ministrja gjermane për Evropën Ana Luhrmann tha se Gjermania do të vazhdojë të refuzojë ndihmën financiare për projektet e infrastrukturës në Republikën Serbe për shkak të politikës secesioniste të presidentit të saj Milorad Dodik.
“Gjermania do të vazhdojë të refuzojë mbështetjen financiare për projektet e infrastrukturës në Republikën Serbe në shuma treshifrore. Edhe në nivel të Bashkimit Evropian janë duke u pezulluar projektet e mëdha”, ka thënë Lurman në një intervistë për portalin e Sarajevës Klix (Klix.ba), e cila është publikuar sot.
Ajo tha se kjo është për të ardhur keq, sepse këto janë projekte që do të përfitojnë Republika Serbe në afat të gjatë.
“Përfaqësuesit e Republikës Serbe tani e kanë në dorë, për t’i hapur rrugën projekteve si ky me një devijim bindës nga kursi secesionist”, tha ministrja gjermane.
Lurman tha më tej se “politika secesioniste e Milorad Dodik dhe retorika e tij shkatërruese” janë të papranueshme, sepse ato vënë në pikëpyetje Marrëveshjen e Dejtonit dhe shkaktojnë dëme në BeH dhe RS.
“Kjo vlen edhe për vizitën e fundit të Milorad Dodik në Moskë dhe deklaratat e tij për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, të cilat ne i dënojmë. Kjo është në kundërshtim të qartë me statusin kandidat dhe përpjekjet e BeH për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE”, theksoi ajo.
Ministri gjerman për Evropën tha gjithashtu se është duke u bërë harmonizimi i kornizës ligjore për çështjen e dyshtetësisë së BeH dhe Gjermanisë.
“Ne e dimë se kjo është një çështje e rëndësishme për shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor. Harmonizimi për propozimin ligjor është duke u bërë”, tha Lurman.







