Gjermania gjurmoi shumicën e udhëtarëve pozitivë me koronavirus, por u vonua kumtimi i rezultatit

Shteti gjerman i Bavarisë ka njoftuar të dielën se ka gjurmuar shumicën e njerëzve që në kthim nga shtetet tjera rezultuan pozitivë me koronavirus, por kjo nuk iu kumtua të infektuarve, në një debakël që e turpëroi kryetarin Markus Soeder, pasardhësin e mundshëm të kancelares Angela Merkel.

Bavaria tha në një deklaratë se janë gjetur 903 nga 949 njerëzit që kishin rezultuar pozitivë, nga totali prej 44,000 udhëtarëve të testuar që u kthyen në Gjermani, por nuk mund të gjurmoheshin edhe 46 persona tjerë që dolën pozitivë, shkruan Reuters.

Testimet ishin bërë para dy jave në qendra të posaçme, por problemet me regjistrimin e të dhënave bëri që njerëzit të presin për rezultate me ditë të tëra, transmeton KOHA.

Kryetari i shtetit të Bavarisë, Markus Soeder, kërkoi falje për këto probleme të enjten, duke premtuar se do të rregulloheshin gabimet, si dhe tha se e përkrahë ministrin e Shëndetësisë i cili ka ofruar dorëheqje.

Disa konservatorë e shohin Soederin si kandidatin më të mirë për kancelar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, si pasardhës i Merkelit e cila ka thënë se nuk do të garojë për mandatin e pestë.