Gjermania dhe Franca pritet t’i dërgojnë emisarët në Prishtinë javën e ardhshme

Gjatë javës së ardhshme në Prishtinë pritet të arrijë një delegacion franko-gjerman i përbërë nga këshilltarët kryesor të kancelares Anglea Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron.

Sipas burimeve të Gazetës Express në Prishtinë do të qëndrojnë Jan Hecker nga kabineti i kancelares gjermane dhe Emmanuel Bone nga ekipi i presidentit të Francës, Macron.

Lidhur me këtë , Express ka drejtuar pyetje në adresë të kabinetit të kancelares gjermane. Nga Berlini as nuk e kanë mohuar dhe as nuk e kanë pohuar mundësinë e një vizitë të tillë, duke potencuar se në parim nuk japin informacione lidhur me agjendën e këshilltarëve të kancelares.

“Në parim, ne nuk japim informacione lidhur me agjendën e këshilltarëve të kancelares”, ka thënë një zëdhënës i zyrës së Merkel.

Dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi dhe çështja e heqjes së taksës pritet që të jenë dy prej arsyeve kryesore të kësaj vizite të dy emisarëve nga Parisi dhe Berlini.

Qeveria e Republikës së Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti ka vendosur që të heq taksën ndaj Serbisë fillimisht për lëndën e parë, ndërkohë vetë kreu i qeverisë ka thënë se nga 1 prilli do ta heqin plotësisht tarifën 100 % për një periudhë 90 ditore nëse Serbia ndal fushatën kundër Kosovës.

Një vendim të tillë nga qeveria e kancelares Merkel e kanë parë si hapin e parë drejt heqjes së plotë të taksës, që sipas tyre është edhe synimi final.

Kështu kishin deklaruar për Gazetën Express nga zyra e kancelares gjermane më 28 shkurt.

“Qeveria Federale e sheh këtë si një hap të parë drejt heqjes së plotë të taksës 100 % të vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, që duhet të mbetet synimi ynë”, ka thënë ky zëdhënës, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të pajtohet me një qasje të përbashkët.

“Sipas këndvështrimit tonë, është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të pajtohet për një qasje të përbashkët”, ka përfunduar zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Heqja e taksës është kërkuar edhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një letër të shkruar për kryeministrin Kurti më 13 shkurt.

Macron kishte thënë se është i gatshëm të organizojë një Samit në Paris për dialogun bashkë me kancelaren gjermane dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE’së, por si fillim kishte thënë se taksa duhet hequr për të zhbllokuar situatën.

Vizita e këshilltarit të Macron është e rëndësishme edhe për shkak të qëndrimit të Parisit zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave, duke qenë se Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, kishte deklaruar se Kosova ende nuk i ka plotësuar kushtet për të lëvizur lirshëm në Zonën Schengen