ndeshje

Gjermani është “macja e zezë”; kush e fiton nesër përplasjen Guardiola-Klopp

Manchester City pret Liverpool të enjten, në një ndeshje që mund të ketë rëndësi të madhe në destinacionin e trofeut të Premier League këtë sezon.

Paraqitja e dobët e “qytetarëve” gjatë Krishtlindjeve e lejoi Liverpool të distancohej shtatë pikë në krye të renditjes, përpara përplasjes direkte. Fitorja e mundshme e “Reds” në “Etihad” do t’i linte kampionët e Anglisë në fuqi përballë një beteje të vështirë për ta mbrojtur kurorën e tyre.

Jurgen Klopp është një trajner, i cili ka qenë në gjendje që vazhdimisht të fitojë ndaj Pep Guardiolas, në betejat kokë më kokë mes të dyve. Këtu, më poshtë, po i hedhim një sy dy trajnerëve, përpara ndeshjes së madhe.

Stili i lojës: Stili i lojës me shumë pasime (tiki-taka) i Guardiolës ka qenë shenjë e dallueshme e skuadrave të tij, si Barcelona, Bayern Munich dhe tani Manchester City.

Guardiolës i pëlqen që skuadrat e tij që të lëvizin me shpejtësi në fushë, të dominojnë posedimin e topit dhe të jenë të paepur, në daljen përpara.

Pa topin, ai pret që të tijtë të përdorin po aq energji për t’i trysnuar kundërshtarët, në mënyrë që ta fitojë atë përsëri.

Klopp aplikon një numër parimesh të njëjta. Gjermani ka qenë një nga trajnerët e paktë, që vazhdimiasht i ka sfiduar skuadrat e Guardiolës.

Situata aktuale: Ngërci për Krishtlindje i Manchester Cityt mund të përcaktojë destinacionin e trofeut të Premier League në maj. Tri humbje në katër ndeshje, duke përfshirë disfatën në shtëpi me Crystal Palace, e panë Manchester City të hapte krahun nga kreu i renditjes, duke qenë tashmë shtatë pikë mbas “Reds”.

Në të kundërt, të besuarit e Jurgen Klopp kanë vazhduar plot ritëm dhe frymëzim. Ata mbeten të pamposhtur pas 20 ndeshjesh në Premier League dhe vijnë pas triumfit rrezatues 5-1 kundër Arsenalit. Shifra tepër inkurajuese përpara udhëtimit në “Etihad”.

Përplasjet e kaluara: Klopp ka fituar më shumë se gjysmën e ballafaqimeve direkte me Guardiolën gjatë viteve; 8 nga 15 ndeshje.

Asnjë trajner tjetër, që ka pasur Guardiola si kundërshtar, nuk mund të pretendojë se ka fituar një të katërtën e ndeshjeve kundër katalanasit.

Stili i Kloppit, kaq i ngjashëm me atë të Guardiolës, në mënyrë të qartë e bën gjermanin favorit në përplasjet e drejtpërdrejta. Mjafton të kujtojmë ballafaqimet në Champions, sezonin e kaluar, kur Liverpool fitoi dy herë ndaj “qytetarëve”. Ishte raundi çerekfinal.

Manchester City kishte një shans të artë për ta fituar ndeshjen e parë të Premier League mes dy skuadrave, këtë sezon, në “Anfield”, por Riyad Mahrez shpërdori penalltinë dhe loja përfundoi pa gola.

Trofetë: Guardiola fitoi titullin e Premier League sezonin e kaluar, me rekord pikësh. Me Barcelonën ka shijuar cdo trofe të mundshëm, duke përfshirë edhe dy Liga Kampionësh. Në Gjermani, me Bayern Munich, i mungoi vetëm Champions-i.

“Palmaresi” i Jurgen Klopp ka dy tituj të Bundesligës me Borussia Dortmund. Sezonin e kaluar ishte finalist i Ligës së Kampionëve, ku u mund nga Real Madridi. Pra, në këtë drejtim, gjermani nuk krahasohet dot me Guardiolën për momentin, por me Liverpool-in e tij në “pole position” në Premier League, me shtatë pikë më tepër se “qytetarët”, ai ka një mundësi të shkëlqyer për të triiumfuar.