Ambasada e Gjermanisë

Gjermanët i përgjigjen Daçiqit: Përkrahim  plotësisht Marrëveshjen e vitit 2013 dhe Ohrin,  janë vendimtare për rrugën drejt BE-së

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express s’kanë pranuar që të japin detaje rreth bisedës së kryediplomates Annalena Baerbock me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, duke thënë se diskutime të tilla me homologë ndërkombëtarë janë konfidenciale. Ndërkohë kanë thënë se Qeveria Gjermane përkrah plotësisht Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe se konsiderojnë që zbatimi i saj bashkë me Marrëveshjen e Ohrit të arritur në vitin 2023 janë vendimtare për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi dhe për integrimin e të dy shteteve në Bashkim Evropian.

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në një paraqitje televizive ka përmendur një bisedë që pretendon ta ketë zhvilluar me Ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e ku sipas Daçiq, kryediplomatja gjermane e ka pyetur se “si e keni mashtruar Hashim Thaçin ta nënshkruaj marrëveshjen e Brukselit 2013, pasi asnjë kryeministër shqiptar nuk do ta zbatonte atë marrëveshje”.

Lidhur me këto pretendimet të shefit të diplomacisë serbe, në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Nga Ambasada gjermane kanë thënë së takimet që mban ministrja Annalena Baerbock janë subjekt i konfidencialitetit, përfshirë këtu edhe takimin me Ivica Daçiqin.

“Takimet që Ministrja e Jashtme Baerbock mban me homologët e saj ndërkombëtarë janë subjekt i konfidencialtietit. Natyrisht, kjo vlen edhe për bisedat me ministrin e Jashtëm Daçiq”, kanë thënë për Gazetën Express në një përgjigje nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Sa i përket Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Ambasada e Gjermanisë ka thënë se Qeveria Federale mbështet plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Në përgjigjen për Gazetën Express thuhet se zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit 2013 dhe përfshirë edhe Marrëveshjen e Ohrit të arritur dhjetë vite pas, është vendimtar për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, stabilitetin në rajon dhe për avancimin e rrugëve të Serbisë dhe Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Qeveria federale gjermane përsërit mbështetjen e saj të plotë për Marrëveshjet e Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të vitit 2013 të arritura në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe marrëveshjeve në vijim deri në dhe duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 është vendimtar për nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për të kontribuar në stabilitetin rajonal si dhe për të avancuar në rrugët e Serbisë dhe Kosovës në BE”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë për Gazetën Express.

Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve që njihet joformalisht si Marrëveshja e Brukselit është një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja, e negociuar dhe e lidhur në Bruksel nën kujdesin e Bashkimit Evropian, është nënshkruar më 19 prill 2013. Negociatat janë udhëhequr nga kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiq nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton. Perëndimi vazhdon t’iu bëj thirrje dy palëve për zbatimin e obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, pasi i konsiderojnë si jetike për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.