Gjenerali Clark: Rusia nuk mund të ndalet pa ndërhyrjen e NATO-s, duhet të veprojmë ashtu siç bëmë me regjimin e Millosheviqit

Pushtimi rus i Ukrainës nuk do të ndalet pa ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike, ka vlerësuar ish-komandanti i NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark.

Udhëheqësit perëndimorë, shtoi ai, duhet ta kujtojnë Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinës, ku ndërhyrja e Aleancës ndaloi luftërat.

“Meqenëse ne nuk mund ta dorëzojmë Ukrainën dhe nuk mund të tolerojmë humbjen e saj ndaj Rusisë, duke parë balancën e fuqisë dhe humbjeve”, bëri thirrje Clark gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti i Këshillit Atlantik mbi situatën në Ukrainë.

Ai e krahasoi situatën aktuale me atë të luftës në ish-Jugosllavi dhe ndërhyrjen e NATO-s për ta ndaluar regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Clark ishte një nga negociatorët e Marrëveshjes së Dejtonit më 1995.

“Vetëm kur Millosheviqi kuptoi se i kishte ardhur fundi në atë se çfarë mund të bënte ushtarakisht, ai filloi të dëshironte që kishte një zgjidhje diplomatike. Më duket se duhet të mendojmë për të pamenduarën”, tha ushtaraku amerikan në pension.

“Është koha për t’iu kthyer mësimeve të kaluara. Le të ndërhyjmë me NATO-n. Le ta shpallim ndërhyrjen dhe t’i themi Rusisë të ndaloj. Nuk mund të ndalet pa ndërhyrjen e NATO-s”, shtoi Clark.

Gjenerali Clark ishte komandant suprem i Aleancës në Evropë (SACEUR), nga viti 1997-2000, dhe në vitin 1999 komandoi ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe në mbrojtje të Kosovës.