Urumqi

“Gjendje lufte” për rajonin kinez ku u raportuan vetëm 17 raste me COVID-19

Zyrtarët e qytetit Urumqi, që është kryeqyteti i rajonit perëndimor Xinijang të Kinës, kanë shpallur “gjendje lufte” dhe kufizime të rrepta pas raportimit të 17 rasteve me koronavirus të shtunën.

Edhe pse ky numër duket i vogël, Kina në këtë mënyrë ka parandaluar shpërthimet e mëdha që nga shfaqja e COVID-19 në qytetin e Wuhanit dhjetorin e kaluar, edhe pse ka shumë dyshime në saktësinë e raportimit të rasteve nga ana e shtetit, shkruan BBC-ja.

Sidoqoftë tani Kina nuk gjendet më në listën e 20 shteteve me më së shumti infeksione ose vdekje nga kjo sëmundje, transmeton KOHA.

Kryeqyteti i rajonit Autonom Xinjiang ka popullatë prej rreth 3.5 milionë banorëve.

Të shtunën, zyrtarët thanë se ky qytet ka hyrë në një “gjendje lufte” dhe do të pezullohen të gjitha aktivitetet grupore dhe fluturimet brenda dhe jashtë këtij rajoni. Do të bëhen testime të mëdha në vendet ku janë raportuar rastet e reja dhe vizitat e banorëve nëpër shtëpi tjera janë të ndaluara. Qytetarët gjithashtu nuk janë të lejuar të dalin nga qyteti.

Kina kohëve të fundit ka marrë masa të rrepta për të parandaluar shpërthime të mëdha, duke vendosur kontrolle të ashpra, që përfshijnë mbylljen e transportit dhe testimin masiv të popullatës.