Gjendja me vërshime në Kosovë, FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë së njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës, pas reshjeve që kapluan vendin tonë.

Ai thotë se këtë ja ka bërë të ditur edhe Ministrit të Brendshëm , Xhelal Svecla.

“Qytetarë të dashur të vendit tim, Situata meteorologjike që nga dita e djeshme është në monitorim dhe vlerësim permanent të plotë të autoriteteve profesionale të FSK-së. Sot kam kontaktuar direkt, ministrin Sveçla dhe i kam komunikuar se me direktivën time, FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë së njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës”, ka thënë ai.

Ai thotë tutje se FSK është e gatshme që të kryejë detyrat e mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe lokale për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

“Bazuar në Sistemin e Menaxhimit të Integruar të Emergjencave dhe Planit të Reagimit Kombëtar, FSK është e gatshme të realizoj misionin kushtetues dhe detyrat e saj ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile qendrore dhe lokale. Gjithashtu, jemi në gatishmëri të plotë që me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion të ofrojmë shërbimin vetëmohues për ndihmë qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.