Një automjet i tipit ‘Volkswagen Bora’ me ngjyrë të bardhë, është gjetur të martën nga policia në fshatin Matica të komunës së Zveçanit.

Sipas Zëvendësdrejtorit të policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti është gjetur vetura e personit që konsiderohet i zhdukur prej datës së 28 të muajit të kaluar.

Ai për Ballkani.info ka konfirmuar rastin duke thënë se personi i cili konsiderohet të jetë i zhdukur është Vllado Ivanoviq, ku deri më tani vetëm vetura të cilën e ka vozitur ai është gjetur.

Vllado Ivanoviq kishte vozitur automjetin e tipit ‘Volkswagen Bora’ me ngjyrë të bardhë, i cili kishte qenë pronë e Kompanisë ‘Novi Taxi’ nga veriu i Mitrovicës.

“Njësitë policore nga dje janë duke siguruar vendin e ngjarjes deri në procedurat e mëtejme të cilat do të zhvillohen gjatë ditës së sotme. Në automjet janë gjetur gjurmë të caktuara të veprës penale, ndërsa rasti në polici evidentohet si person i zhdukur deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes”, ka thënë Hoti.