Gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë, 62-vjeçari kishte në trup plagë nga arma e zjarrit

Sot rreth orës 13:00 në Fushë-Kosovë është gjetur një person i vdekur.

Ballkani.info ka kontaktuar me zëdhënësen e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmetin, e cila ka dhënë detaje të ngjarjes.

“Policia ka marrë informatën rreth orës 13:00, se në lagjen 29 të Fushë-Kosovës, saktësisht në oborrin e një shtëpie, ndodhet një person pa shenja jete. Njësitet policore kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, ajo ka thënë se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa bazuar në të gjeturat fillestare dyshohet se viktima kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

“Rasti është inicuar si vdekje e dyshimtë, ndërkohë që po punohet për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka përfunduar Ahmeti.

Viktima ka qenë i gjinisë mashkullore dhe ka qenë 62-vjeçar. /Ballkani.info

loading…