Gjendet e vdekur në rrugë një grua në Prishtinë, Prokuroria jep detaje

Një grua është gjendur pa shenja jetë gjatë pasdites e së mërkurës në rrugën “Ferat Dragaj”, në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes është prokurorja e rastit e cila është duke hetuar rastin.

Lajmin për Demokracia.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Është gjetur një trup pa shenja jete (femër), ku sipas informatave fillestare nga vendi i ngjarjes rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta, mirëpo Prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ulaj.

Ajo ka treguar në detaje se janë duke u ekzaminuar vendi I ngjarjes, kurse trupi I pa jetë dërgohet në IML për obduksion.

“Pas ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes, trupi i pa jetë me urdhër të prokurores do të dërgohet në IML për obduksion”, ka thënë Ulaj./