Gjenden edhe dy trupa të shqiptarëve në një varrezë në Veri të Mitrovicës

Edhe sot janë gjetur mbetje mortore në lokacionin e varrezave të besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës.

Gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të dy personave.

Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net, Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona te Zhdukur se eshtrat e zhvarrosur sot iu përkasin dy viktimave shqiptare të vrarë.

“Gjatë gërmimeve të realizuara sot, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të dy viktimave shqiptarë të luftës së fundit në Kosovë. Ndërsa gjatë gërmimeve në tre muajt e fundit janë gjetur gjashtë viktima. Megjithatë numri i saktë i viktimave dhe identiteti i tyre do të konfirmohen pasi të bëhen procedurat mjeko-ligjore dhe ADN-ja”, tha Gara.

Ai tha se lokacioni në veri do të vazhdoj të trajtohet me prioritet.

“Ky lokacion do të trajtohet me prioritet varësisht prej informatave që po i shqyrtojmë, por edhe në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e familjeve dhe duke vlerësuar angazhimin e institucioneve kompetente si Instituti i Mjkësisë Ligjore, sektori i policisë për krime lufte dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Gara ka bërë të ditur se që nga përfundimi i luftës e deri më sot në këtë lokacion janë zhvarrosur më shumë se 60 viktima nga institucionet përgjegjëse dhe organizatat ndërkombëtare.