Nik Gjeloshaj

Gjeloshaj: Kush nuk është i gatshëm të respektojë marrëveshjen, nuk do të jetë pjesë e qeverisë malazeze

Vendimi përfundimtar për riformatimin e Qeverisë së Malit të Zi, i cili parashikohet në marrëveshjen e koalicionit, i takon kryeministrit, tha kryetari i “Forumit Shqiptar” dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.

Ai pret që pas gjysmë viti të punës së qeverisë malazeze, të analizohen efektet dhe të shihet nëse nevojiten ndryshime. Ministri theksoi se kush nuk është i gatshëm të respektojë dhe të punojë në bazë të parimeve të marrëveshjes, nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, raporton rtcg.

“Marrëveshja për formimin e qeverisë është e qartë. Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes janë parimet dhe secili parim nga marrëveshja ka rëndësinë e vet. Besoj se është thelbësore dhe se është e nevojshme që të gjithë t’i përmbahemi në mënyrë të vazhdueshme asaj që kemi nënshkruar. Sa i përket Forumit Shqiptar, sigurisht që do të jetë kështu”, tha Gjeloshaj.

Ky i fundit shtoi se riformatimi është paraparë në marrëveshje dhe është i përcaktuar qartë dhe vendimin përfundimtar do ta marrë kryeministri Milojko Spajiq.

Ai rikujton se shpejtësia e riformatimit të qeverisë varet nga zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar.

Riformatimi i qeverisë parashihet në fund të vitit, bazuar në marrëveshjen e koalicionit. “Nëse ka propozim për më herët, do ta analizojmë sipas rrethanave të reja. Presim që pas gjashtë muajve të punës së qeverisë të analizojmë efektet e të gjithëve dhe do të shohim nëse nevojiten ndryshime”, theksoi ai.