Gjakovari ther me thikë ish-gruan para fëmijëve në park, më herët ishte arrestuar për dy raste të tjera dhune

Mesditën e së mërkurës, një grua nga Gjakova është therur me thikë nga ish-bashkëshorti i saj. Viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërkaq i dyshuari është dërguar në mbajtje. Por, ky nuk është rasti i parë që i dyshuari ka ushtruar dhunë në familje.

Në Parkun e Qytetit të Gjakovës, një grua është therur me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, në prani të fëmijëve të tyre.

Menjëherë pas rastit, i dyshuari ka ikur nga vendngjarja. Por, pas dy orësh, ai është gjetur i fshehur në një hapësirë me shkurre nga Policia, në periferi të Gjakovës.

Ai s’është i panjohur për policinë, meqenëse 41-vjeçarja e kishte denoncuar edhe më herët për dhunë në familje.

Në të dy rastet, policia e kishte arrestuar të dyshuarin, por që në mbajtje ishte dërguar vetëm një herë.

Këtë për Gazetën Express e kanë konfirmuar burime brenda policisë në Gjakovë, të cilat kanë deklaruar se i dyshuari ka pasur të lëshuar urdhër mbrojtës (aktiv) nga Gjykata.

“I dyshuari është i njohur për policinë edhe për raste tjera të dhunës në familje. Në dy rastet tjera të ndodhura gjatë 2020 dhe 2021, i dyshuari ishte arrestuar dhe ndaluar me vendim të prokurorit. Në të dyja rastet ka qenë i arrestuar. Në rastin e parë është liruar në procedurë të rregullt, e në të dytën është ndaluar në mbajtje. Në ditën e tentim-vrasjes i dyshuari ka pasur të lëshuar urdhër mbrojtës (aktiv) nga Gjykata”, kanë bërë të ditur burime të gazetës.

Nga policia kanë deklaruar se pas ngjarjes, fëmijët janë vendosur në një shtëpi të sigurt me ndihmën e qendrës për punë sociale.

“Rasti ka ndodhur në parkun e qytetit. Viktima ka qenë me fëmijët në kohën kur  është sulmuar nga ish-bashkëshorti. Ata janë vendosur në një shtëpi të sigurt me ndihmën e qendrës për pune sociale”, kanë thënë nga policia.

Ndërkaq sipas urdhrit mbrojtës i cili është aktiv deri më 2 maj të këtij viti, i dyshuari ka qenë i detyruar të mos i afrohet ish-bashkëshortes në distancë prej 3 metrave kur është në vende publike.

Po ashtu, 42-vjeçari e ka pasur të ndaluar t’i flasë ish-bashkëshortes me fjalë fyese dhe ta kërcënojë me largim nga shtëpia.

Sipas këtij urdhri, ai e ka pasur të ndaluar të ushtrojë dhunë psikike e fizike ndaj ish-bashkëshortes, por këtë urdhër e ka shkelur të mërkurën.

Ndryshe, për rastin ka njoftuar sot në mëngjes Policia e Kosovës. Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se të dyshuarit është konfiskuar thika me të cilën, i dyshuari e ka sulmuar bashkëshorten dhe se viktima është dërguar për tretman mjekësor.

 “Gjakovë 31.03.2021 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti e kishte sulmuar  me thikë  ish bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe e njëjta është hospitalizuar për tretman të mëtutjeshëm. Thika është konfiskuar ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje . Rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar Policia.