Giresse publikon listën e Dardanëve për ndeshjet e shtatorit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, e ka bërë publike listën e futbollistëve për dy ndeshjet e këtij muaji.

Trajneri francez për grumbullimin e shtatorit ka ftuar 26 futbollistë, të cilët do t’i ketë në dispozicion për duelet me Irlandën e Veriut, më 24 shtator, në Belfast dhe me Qipron, më 27 shtator, në Prishtinë. Këto dy ndeshje janë të fundit në kuadër të ciklit të sivjetmë të Ligës së Kombeve. Stërvitja e parë e Dardanëve zhvillohet të hënën, më 19 shtator, nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndërkaq, përzgjedhësi Alain Giresse do të paraqitet në konferencë për media, të martën, në orën 13:00, në hotel ‘Emerald’.