Zëvendës Ministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, pas njoftimit nga Lista Serbe se do të bojkotojnë referendumin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri, është shprehur mjaft i ekzaltuar duke nxjerrë një citat të vetes se të para dy muaje ku thoshte se “vendos bast që nuk shkarkohet Erden Atiqi”.

Vokrri tha se kryetarët shqiptarë të zgjedhur vitin e kaluar me mikro-legjitimitet do të vazhdojnë qëndrimin e tyre deri në përfundimin e mandatit të rregullt; ndonëse largimi i tyre është arsyeja kryesore që kërkohet për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

Postimi i Vokrrit:

Mbase tash s’po duken si të krisuna qëndrimet që i kam shpërfaqë goxha i vetmuar me muaj të tanë.

Lista e Radoičićit e humbi betejën për robërim të popullit serb në veriun e Kosovës. Kryetarët aktualë të Mitrovicës/V., Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit do ta vazhdojnë mandatin e tyne deri në zgjedhjet e rregullta, duke ndihmu zhvillimin e demokracisë lokale – për serbët, shqiptarët, boshnjakët e të gjithë qytetarët që jetojnë në veri.