Gëzim Kelmendi me urim të çuditshëm për kryeministrin e ri: Keni kujdes çfarë po bëni, emri juaj do të thotë rob i Allahut

Kryetari i partisë islamiste Gëzim Kelmendi ka uruar kryeministrin e ri Avdullah Hotin për detyrën e re, duke ia kujtuar atij domethënien e emrit, Avdullah, që sipas fesë islame i bie shërbëtor i Allahut.

Kelmendi i ka sugjeruar Hotit, të kryej punën me nder, dhe siç ka thënë ai mos e koritni emrin tuaj të shenjtë. Madje ka thënë se Hoti beson në zot dhe kjo ka qenë arsyeja që i pari i partisë Fjala s’ka bërë lutje për të siç bën zakonisht.

“Urimit për Albin Kurtin ia kam bashkangjitur disa lutje të mira që ai ta besoi ZOTIN dhe njëshmërinë e Tij.
Po për juve nuk i bëra ato lutje, pse? Sepse mendoj që ju besoni në ZOT, mendoj që besoni në njëshmërinë e ZOTIT”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Urime kryeministër Avdullah Hoti, keni parasysh çfarë emri keni!

Kryeministër fillimisht po iu uroj për pozitën e re. Urime.

Ashtu sikur Kurtit, edhe juve në ditën e parë po iu uroj.
Por juve po iu “diskriminoj” pak.
Urimit për Albin Kurtin ia kam bashkangjitur disa lutje të mira që ai ta besoi ZOTIN dhe njëshmërinë e Tij.
Po për juve nuk i bëra ato lutje, pse?
Sepse mendoj që ju besoni në ZOT, mendoj që besoni në njëshmërinë e ZOTIT.
Kryeministër Hoti, a e dini që emri juaj është ndër emrat ma të mirë në botë.
Keni emrin Avdullah, që do të thotë rob i ALLAHUT.
Shumë emër i bukur.

Por kryeministër Hoti keni kujdes, mos e koritni emrin.
Nëse nuk iu merr mendja që mundeni me punu ma mirë se kryeministrat tjerë, qysh nesër shkoni në komunë dhe ndryshoni emrin tuaj.
Ju lutem ruajeni këtë emër.
Mos e koritni.
Ju mundeni me u koritë, ama emrin mos e koritni.