Dhuna

Gërxhaliu: Viktimat e dhunimit seksual janë nga mosha 4 vjeçe – rreth 70% e rasteve raportohen me vonesë 

Kiks Kosova sonte raportoi për një rast ku një profesor nga Suhareka po e akuzon kolegun e tij për dhunimin seksual të një nxënëseje, rast i cili sipas tij, ndodhi në maj të 2022-ës.

Policia ia konfirmoi Kiksit që rasti nuk është denoncuar në atë kohë, por hetimet kanë nisur tek të premten e 26 janarit të këtij viti.

Ani pse pretendimet e profesorit nuk janë verifikuar ende, raste të tilla rëndom në Kosovë raportohen me vonesë.

Sipas ekspertit mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliu, rreth 68-70 për qind e rasteve të dhunimeve seksuale nuk raportohen me kohë.

Ai bëri të ditur se mosha e viktimave të dhunimit, të cilat janë ekzaminuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, nis nga 4 vjeç për të vazhduar deri në 72-vjeç.

Mirëpo vonesa e raportimit, thotë ai, ndikon në humbjen e gjurmëve, duke bërë që rastet kur bëhet identifikimi i dëmtimit të viktimës të jenë të rralla.