Gërvalla tregon pse Haxhi Avdyli nuk u emërua Ministër i Shëndetësisë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka komentuar deklaratat se ka mospajtime mes Listës Guxo dhe VV-së për emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë.

Pozita e Ministrisë ishte lënë e zbrazët pasi Arben Vitia dha dorëheqje për të kandiduar për kryetar të Prishtinës. Ishte përfolur se Haxhi Avdyli do të ishte ministër i ri por kryeministri Albin Kurti vendosi për Rifat Latifin. Gërvalla thotë se nuk ka pasur asnjëherë diskutime për këtë punë.

“Tani kur thuhet që është folur, bëhet fjalë a është folur nëpër kafe apo institucione. Përvoja institucionale tregon se fjalët e kafes qëndrojnë atje dhe tepër tepër rrallë përkthehen në vendime. Nuk është folur asnjëherë kjo punë. Ka qarkulluar në mediume joserioze. Shtrohet pyetja a është kërkuar dorëheqja ime, e para është se është dashur të pyetem unë. Kjo është gjëja e parë që duhet të ndodhë”, tha ajo në emisionin dPt te Fidani në T7.

“Natyrisht kemi pasur mendime të ndryshe për ndarjen e pozitave. Unë mendoj personalisht se Haxhi Avdyli do të ishte një ministër i i mirë i shëndetësisë. Ende mendoj se do ta kishte kryer këtë punë më nder. Kam qenë e informuar për emërimin e Ministrit të ri. Tek e fundit jam zëvendëskryeministre dhe jam e informuar për cdo vendim. Mendoj se është njeriu i duhur që të transformojë ministrinë”, shtoi ajo.