Gërvalla “sulmoi” Rusinë, pa u verifikuar ende sulmi nga qeveria polake dhe NATO

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, për sulmet me raketa në Poloni.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky është argumenti i Platonit se dy budallenj e mundin një të mençur.

“Qe argumenti i Platonit se dy budallë e mujnë një të mençëm. Rezultati s’ka si mos jetë më i qartë!”, ka shkruar Ibrahimi.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar mbrëmë pas raportimeve se dy raketa ruse kanë rënë në territorin e Polonisë, duke lënë të vrarë dy persona.

Gërvalla me një postim në Twitter i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të jetë më e vendosur për ta ndalur presidentin rus, Vladimir Putin përpara se ta sjell luftën në tërë kontinentin.

“Të pikëlluar nga humbja e dy jetëve në Poloni, të cilët janë goditur nga raketat ruse. Jemi me familjet e tyre, Kosova qëndron krah Polonisë kundër regjimit të Putin. BE duhet të veprojë më vendomërisht për ta ndalur Putinin, përpara se ai dhe instrumentet e tij të sjellin luftën në tërë kontinentin”, ka shkruar Gërvalla ende pa u verifikuar nga qeveria polake dhe NATO.

Ndërkohë të dërguarit e NATO-s mbajnë sot një takim urgjent, për të diskutuar raportet se dy raketa ruse, që kishin në shënjestër Ukrainën, ranë të martën në Poloni, duke vrarë dy persona.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dy diplomatë evropianë, tha se takimi mbahet në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s.

Sipas këtij neni, vendet anëtare mund të ngrenë shqetësimin kur ndiejnë se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre” janë në rrezik.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë thanë se janë duke i hetuar raportet për shpërthimet në Poloni, për të përcaktuar origjinën e raketave.

“Do të përcaktojmë se çfarë ka ndodhr dhe cilët do të jenë hapat e duhur të ardhshëm”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden tha të mërkurën se raketat që vranë dy persona në Poloni, mund të mos jenë hedhur nga Rusia.

Derisa Ukraina fajësoi Rusinë për ngjarjen në Poloni, Rusia mohoi se raketat e saj kanë goditur territorin polak, duke thënë se raportet janë “një provokim i qëllimshëm” për të përshkallëzuar situatën. /Demokracia.com/