Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherësh edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se zgjidhja e vetme mes Kosovës dhe Serbisë është që të vazhdohet me dialogun, por që kjo do të varet tashmë nga reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare.

Gërvalla, në një konferencë për media para gazetarëve në Tiranë ka ripërsëritur se nëse Serbia do të kaloj pa sekuenca, atëherë vazhdimi i negociatave do të jetë i pamundur.

“Se si do të vazhdoj procesi i negociatave me Serbinë, natyrisht që zgjidhja do të jetë përmes dialogut por se cili do të jetë momenti që ne do të ulemi në tavolinë varet shumë nga reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare. Sepse nëse Bashkësia Ndërkombëtare e le Serbinë të kaloj pa sekuenca nga një sulm i hapur armiqësor atëherë ne e shohim të pamundur vazhdimin e negociatave”.

Teksa, ka thënë se janë të dëshpëruar nga Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak, por që s’mund t’i tregojnë Bashkimit Evropian se kë duhet ta mbaj në atë pozitë.

“Ne nuk kemi aktorë të preferuar as jo të preferuar. Është e vërtetë që besimi ka humbur tashmë nga ndërmjetësuesin aktual, sepse rrjedhat e fundit të negociatave kanë treguar se është i njëanshëm procesi. Por, nuk jemi ne që duhet t’i tregojmë BE-së as kë duhet ta mbaj as kë jo, ajo çfarë ne kërkojmë është që BE-ja ta realizoj këtë proces në mënyrë të drejtë”.

Ajo tutje është pyetur edhe për refuzimin e Ivica Daçiç, që t’i bashkohet fotos familjare në Ministerialin e ministrave të Jashtëm për Procesin e Berlinit që janë mbledhur në Tiranë.

Gërvalla, ka thënë se s’do të merret me këtë çështje, pasi që Kosova ka probleme të tjera aktualisht.

“Unë nuk do të komentoja vendimet ministrit të Jashtëm të Serbisë, sepse ne kemi probleme më të mëdha sesa pjesëmarrja e tij në një foto të përgjithshme. Serbia ka rrugën e vet, Kosova ka rrugën e saj”, ka thënë ajo.