Gërvalla pyetet për Ramën, ishte në takimin ku ai ia ofroi dorëheqjen Osmanit

Gjeneral-lejtnant Rrahman Rama, që ishte komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot ka dhënë dorëheqje.

Dorëheqjen e ka ofruar te presidentja Vjosa Osmani, në një takim ku prezente ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Kryediplomatja në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme është pyetur nëse Qeveria do ta angazhojë Ramën në një detyrë të re.

“Tash komandanti Rrahman Rama veçse dha dorëheqje dhe në takimin kur ka dhënë dorëheqje, bashkë me presidenten keni qenë edhe ju. Takimet në të cilat kemi qenë në asamblenë parlamentare të NATO-s nga të gjitha partitë politike ne kemi pasur fjalë fjalë miradie për të gjithë komandantët tanë. Çfarë do të ndodhë me Z.Rama, me gjithë përvojën që e ka në këtë drejtim, a do të dërgohet diku apo si?”, pyeti deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Gërvalla, në përgjigjje tha se nuk do të ishte fer që ajo të fliste për hapa të tillë në Komision, duke theksuar se nuk e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen tani ish-komandanti i FSK-së.

“Sa i përket gjeneral-lejtnant Rrahman Ramës, unë do të thoja se nuk është fer nga unë që të jap.. të komunikojë këtu hapat e tillë. Për këtë gjë duhet ta pyesni atë. Është e vërtetë, ne jemi takuar sot dhe pyeteni ju lutem rreth së ardhmës së tij sepse nuk është në rregull që unë të tregoj se çfarë do të bëjë ai në të ardhmen. Jo që dua t’i bishtnoj pyetjes, por nuk është fer. Dhe është diçka që është publike sot, prandaj nuk ka asgjë për të fshehur”, tha Gërvalla.

Pa u vonuar shumë, presidentja Vjosa Osmani e emëroi gjeneralmajorin Bashkim Jashari komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.