Gërvalla nuk e ndalë spastrimin politik, largon nga puna edhe një grup të madh të diplomatëve

Kryediplomatja Donika Gërvalla – Schwarz, pasi që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e shpalli veten jokompetent për trajtimin e rastit të mëhershëm të shkarkimit të diplomatëve, sot e ka larguar edhe një grup të madh të punonjësve të MPJD-së nga diplomacia e shtetit.

Demokracia.com ka mësuar se rreth 20 diplomatëve dhe punonjësve të MPJD-së sot u kanë shkuar vendimet për kthim prej misioneve diplomatike, pa marrë kurrfarë përgjegjësie për risistemim të tyre në këtë dikaster qeveritar.

Gërvalla është duke i kontestuar konkurset e rekrutimit të diplomatëve, veçanërisht atë të vitit 2011 dhe në emër gjoja të të gjeturave po i largon diplomatët që njihen si të afërt me opozitën e tashme.

Demokracia.com lidhur me këto shkarkime ka kontaktuar përmes telefonit ministren Donika Gërvalla-Schwarz dhe shefin e kabinetit të saj, Sharr Jakupi, por siç ndodh rëndom ata nuk janë përgjigjur.

Në konkursin e vitit 2011, siç mëson Demokracia.com, ishin punësuar shumica e diplomatëve që Gërvalla i ka identifikuar si njerëz që u shërbejnë subjekteve politike opozitare dhe nuk njihen për afërsi me pushtetin e ri.

Shumica e këtyre diplomatëve janë të përfshirë drejtpërdrejtë në njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës plot një dekadë.