Gërvalla me një shaka pa kripë i ikë pyetjes se pse s’po merr masa ndaj Prindon Sadriut

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka refuzuar të përgjigjet se pse nuk po merr masa si ministre e jashtme ndaj diplomatit të Kosovës, Prindon Sadriu i cili nëpërmjet një postimi në Facebook i ka quajtur mediat “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Ajo në shënjimin e regjistrimit të listës GUXO si parti politike ka thënë se “Sadriu nuk është pjesë e partisë”, shkruan lajmi.net.

“Unë nuk di që zotri Sadriu të jetë pjesë e kësaj partie politike. Sot ju kemi ftuar që së bashku me ju të shënojmë regjistrimin e partisë GUXO dhe të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me punën time si ministre me shumë kënaqësi do t’iu përgjigjem njëherë tjetër”, tha ajo.

Sadriu nëpërmjet një postimi në Facebook i kishte quajtur mediat “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, derisa me këtë deklaratë ai ka bërë shkelje të rëndë të kodit disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës ku është pjestar rezervë.

Gjithashtu është raportuar se deklarimi i Sadriut ka shkelur edhe etikën e profesionit të diplomatit.