Ministrja e Jashtme

Gërvalla kundër pjesëmarrjes së Daçiqit në konferencën kundër dhunës seksuale, duartrokitet nga të pranishmit (VIDEO)

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka marrë pjesë në Konferencën kundër Dhunës Seksuale në Konflikt (PSVI), në Londër.

Por, fjalimi i saj u ndërpre disa herë kur ajo nisi të kritikonte nikoqirët për ftesën ndaj ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Ivica Daçiqi në një panel me të mbijetuarën e dhunës seksuale të luftës në Ukrainë. Prania e tij në sallë dhe në panel nxiti shqetësim tek viktimat e pranishme dhe reagime të ashpra të pjesëmarrësve të konferencës. Viktimat kanë nevojë për drejtësi, jo për ballafaqim me krimin”, tha Gërvalla në postimin e saj në Facebook.

Gërvalla, që njëherësh është edhe Zëvendëskryeministre, u shpreh e tronditur me pjesëmarrjen e Daçiqit, të cilin e quajti “arkitekt të gjenocidit në Ballkanin Perëndimor” gjatë luftërave në Bosnje dhe Kosovë, si vartës i kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.

“Jam paksa e tronditur nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na japë këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konference”, u shpreh Gërvalla, teksa fjala e saj u prit me duartrokitjet e viktimave të pranishme në sallë.

Ajo shprehu dilemën se si mund të flitet për mangësitë e trajtimit të këtyre rasteve të dhunës në Kosovë, kur përballë të mbijetuarave kosovare të dhunës seksuale në konflikt, e për të cilat u shpreh se kanë qenë të guximshme mjaftueshëm të vijnë e të tregojnë se nuk janë duke u dorëzuar, se duan për veten dhe fëmijët e tyre një perspektivë, e që janë ulur në sallë, në anën tjetër të përballen me faktin se kjo konferencë është edhe një konferencë më shumë.

“Sepse këtu në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga kryerësit e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha Gërvalla.

Ndonëse drejtuesi i konferencës nuk e kishte idenë se për kë po flitë Gërvalla, ai u mundua të qetësonte situatën. Por, një nga të ftuarat, që ishte afër tij, i tha: “Flet për Ivica Daçiqin”.

Duke e parë situatën e krijuar, ishte vetë ministrja Gërvalla që e sqaroi se për kënd e kishte fjalën.

“Ky është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dora e djathtë e Slobodan Millosheviqt në vitet 1992-2000”, tha ajo. “Kur flasim kaq shumë për viktimat dhe të mbijetuarat, duhet ta kemi së pari respektin e tyre, e pastaj të flasim për rrethanat. Më falni, por nuk dua të përgjigjem në pyetjen tuaj, jo në mos respekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar për të mos pasur nevojë që të përballet në një vend neutral me autorët e këtyre krimeve”, tha Gërvalla.

“E ky është obligimi ynë, si politikanë, si drejtësi dhe si gjithçka tjetër”.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, dje ka udhëtuar drejt Londrës, ku ka paralajmëruar pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Në këtë konferencë Gërvalla mori pjesë me ftesë të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly.

Gjatë punimeve të saj, shefja e diplomacisë kosovare do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë, përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare.

Konferenca do të përqendrohet në reagimin global ndaj dhunës seksuale në konflikt, parandalimin e saj, mbështetjen e të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga dhuna seksuale në konflikt, si dhe në nxitjen e veprimeve dhe praktikave më të mira për të krijuar përgjegjësi ndaj autorëve të kësaj dhune.