Ministrja e Jashtme

Gërvalla, komunitetit ndërkombëtar: Pranojeni, politika zbutëse ndaj Serbisë ka dështuar

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, po i bën thirrje komitetit ndërkombëtar, që të ndryshojë qasjen e saj zbutëse politike ndaj Serbisë.

Sipas saj, me letrën e kryeministres serbe, drejtuar BE-së, Serbia ka shprehur haptazi refuzimin e saj për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

”Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”.

Serbia përmes një letre zyrtare ka kundërshtuar deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian pas Samitit me Ballkanin Perëndimor që u mbjat më 13 dhjetor në Bruksel. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, siç shkruan televizioni publik serb, ka deponuar një qëndrim rezervues ndaj deklaratës së BE-së duke thënë se “Kosova vazhdon të jetë pjesë integrale e Serbisë në pajtim me Rezolutën 1244”.

Në dokument shprehet papajtueshmëria e Serbisë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në agjencitë e tjera të OKB-së.